Secondary Adv

Korridori VIII, ARRSH synon të mbyllë në 2026 aksin Elbasan–Tuneli i Librazhdit dhe Elbasan–Peqin

Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon përfundimin brenda vitit 2026 të disa segmenteve kyçe të Korridorit VIII, duke lidhur Elbasanin me Librazhdin dhe Peqinin.

Brenda këtij viti parashikohet përmbyllja e punimeve në disa lote të Korridorit VIII rrugor. Përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar bënë me dije për TV SCAN se, në drejtimin nga Elbasani në Qafë-Thanë, përveç lotit I që aktualisht është i përfunduar, pritet të mbyllen edhe fazat II, III dhe V. Së bashku me lotin e parë, këto faza përfshijnë segmentin që nis nga Labinot-Fushë dhe përfundon në qytetin e Librazhdit.

 

Më specifikisht, faza V parashikon ndërtimin e tunelit dhe është e ndarë në dy segmente, njëri prej të cilëve nis menjëherë pas urës së Murrashit, e cila shënon fundin e fazës III, duke bërë që dy fazat të lidhen drejtpërdrejt me njëra-tjetrën. Në drejtimin Elbasan–Qafë-Thanë, në total janë tetë kontrata që mbulojnë një gjatësi prej 26 kilometrash, ndërsa në lotet e tjera punimet do të vijojnë sipas planifikimit.

 

Përfundimi i segmenteve drejt Rrogozhinës

Ndërkohë, brenda vitit 2026 pritet të përmbyllen edhe gjashtë lote të tjera të Korridorit VIII në drejtimin nga Elbasani drejt Rrogozhinës. Këto segmente mbulojnë rreth 20 kilometra, nga një gjatësi totale prej 40.7 kilometrash. Edhe në këtë drejtim, ecuria e punimeve ndryshon nga një lot në tjetrin, por autoritetet sqarojnë se ndërhyrjet realizohen më lehtë për shkak të terrenit fushor.

 

Sipas ARRSH-së, këto segmente janë tërësisht të reja dhe nuk pengohen nga trafiku ekzistues, ndryshe nga pjesët e tjera të këtij korridori, ku punimet zhvillohen paralelisht me qarkullimin e mjeteve.

 

Standardet e reja të rrugës

Pas përfundimit të punimeve, aksi do të klasifikohet si rrugë e kategorisë B, interurbane, me nga dy korsi në secilin krah. Referuar dokumenteve teknike, shpejtësia e lejuar për qarkullimin e mjeteve do të variojë nga 90 deri në 140 kilometra në orë, duke synuar rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e ndjeshëm të lidhjes rrugore lindje–perëndim.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat